Pasditen e 17 shkurtit 2026, Federata e Paqes Universale organizoi në Ambasadën e Paqes një event të veçantë me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, nën moton “18 Vite Kosovë e Pavarur – Model Suksesi dhe Paqeje”.
Eventi mblodhi rreth 200 të ftuar të shquar, personalitete publike, Ambasadorë për Paqen, përfaqësues institucionesh dhe miq nga e gjithë vendi. Programi u hap me himnin e Kosovës dhe himnin Kombëtar Shqiptar, për të vijuar me përshëndetjet zyrtare dhe mesazhet frymëzuese të personaliteteve të ftuara.
Të pranishmit përshëndetën Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë (2014–2023), z. Qemal Minxhozi. Mesazhe të veçanta u përcollën edhe nga znj. Klajda Gjosha, ish-Ministre e Integrimit Evropian. Atmosfera u pasurua nga performanca artistike të emrave të njohur si Shyhrete Behluli, Sabri Fejzullahu, Esat Ruka, Grupi nga Çamëria dhe Grupi i Polifonisë, duke krijuar një frymë të thellë mirënjohjeje, uniteti dhe krenarie kombëtare, gjithçka moderuar me mjeshtëri nga kryetari i FPU Shqipëri, z. Defrim Methasani, ndërkohë që të pranishëm në aktivitet ishin personalitete drejtuese nga kryesia e Federatës së Paqes, si z. Flamur Shehu, znj. Saemira Pino, z. Astrit Memia, z. Gaqo Apostoli, z. Kastriot Selita, z. Leonard Tase, znj. Klajda Gjosha, e shumë të tjerë.
Gjatë aktivitetit u zhvillua edhe një ceremoni vlerësimi për znj. Erjola Balla, si dhe një prezantim mbi misionin dhe veprimtarinë e Federatës së Paqes Universale nga z. Gani Rroshi.
Festimi kulmoi me ceremoninë e dhënies së titullit “Ambasador për Paqe” për 11 personalitete të reja – akademikë, artistë, figura sportive dhe emra të respektuar të jetës publike – të cilët u vlerësuan për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të paqes, mirëqenies dhe përparimit të shoqërisë.
Një mbrëmje e mbushur me emocion, solidaritet dhe shpresë për një të ardhme edhe më të ndritur për Kosovën dhe gjithë rajonin.