Para pak ditësh u nderova me titullin “Ambasador i Paqes” në një tubim në qytetin e Gjirokastrës. Fillimisht hezitova të merrja pjesë në këtë aktivitet. Jam mbrujtur me parimin se vlera e një njeriu matet me atë çka ai i lë të ardhmes së vendit të vet. Në këtë këndvështrim, veprën e një njeriu e vlerëson e ardhmja, jo e tashmja. E tashmja ka të drejtën e analizës dhe të diskutimit; vlerësimi është e drejtë e kohës.
Tubimi ku më ftuan të merrja pjesë nuk kishte si objekt diskutimi çështje që lidhen me arkitekturën, me studimet e mia apo me qytetin tim të mrekullueshëm, gjë krejtësisht normale. Kam punuar për 65 vjet në shërbim të mbijetesës së qytetit tim magjik, që ruan thesare të kulturës së popullit tonë, si projektues, ndërtues, restaurues dhe studiues. Për këtë punë kam bërë detyrën time; jam shpërblyer mirë a keq, kjo ka pak rëndësi. Ajo që vlen për sot dhe për nesër është vepra ime studimore, e realizuar dhe në vazhdim, për të evidentuar këtë pasuri kulturore dhe për ta përcjellë atë ndër breza. Ky ishte shkaku i hezitimit tim.
Në ndërgjegjen time u zhvillua një përplasje. Mendja më thoshte: mos shko, pse të duan? Të të varin një kumborë në qafë. Zemra më thoshte: duhet të shkosh. Në se të varet kumbora në qafë, peshën e saj do ta mbaj unë. Nëse nuk kemi fuqi ta tundim, që të dëgjohet zëri i saj, ta mbajmë fort, të tjerë do ta tundin. Rëndësi ka të mbahet kambana lart; dikush gjithmonë do të gjendet për ta tundur.
Mora pjesë në këtë tubim dhe u nderova me titullin “Ambasador i Paqes”. Pa më kaluar ende emocionet e momentit, mora fjalën dhe deklarova pa hezitim se këtë titull nuk e konsideroj si medalje në gjoksin tim, por si një thirrje për t’u përfshirë në përpjekjen për paqen, qetësinë dhe lumturinë e njerëzve. E konsideroj një sfidë, të cilën e pranoj me bindje. Edhe pse në një moshë të thyer, në kufijtë e jetës njerëzore dhe i kufizuar në aktivitetin fizik, do të përpiqem t’i bashkohem kësaj lëvizjeje që përfaqëson cilësinë më të lartë dhe më fisnike të moralit shoqëror: paqen dhe lumturinë e njerëzve, kundër luftës dhe vuajtjes njerëzore.
Në këtë tubim u nderuan shumë të rinj me këtë titull — një thirrje e hapur për t’u përfshirë në këtë mision. Ajo që pamë dhe dëgjuam ishte mbresëlënëse. Një brez i ri, me formim të lartë kulturor e patriotik, me fjalë që buronin nga zemra, me energji dhe dëshirë të zjarrtë për t’i shërbyer popullit të vet. Pamë një optimizëm që shpesh mungon në jetën tonë të përditshme, por që është jetik në këtë kohë të vështirë që po kalon shoqëria jonë, e përfshirë nga një lloj depresioni kolektiv, i shfaqur edhe në largimin masiv nga vendi.
Pas kësaj ngjarjeje, mendime të shumta më vinin në mendje. Për ta kuptuar më mirë këtë lëvizje, mora vendimin të përfshihem. Kam jetuar një pjesë të madhe të jetës në sistemin monist dhe më erdhi ndër mend koncepti i gabuar që na ishte imponuar dikur për paqen. Ishte një presion i fortë ideologjik; ishim të mbingarkuar me propagandë dhe nuk e kishim qetësinë për të menduar lirshëm. Na mësohej se paqja arrihet përmes luftës kundër sistemit tjetër dhe përmes armës. Kjo ishte një absurditet: në vend që të ndihmonim jetën, përgatiteshim për luftë.
Sot problemi është më i thjeshtë dhe më njerëzor. Nuk na kërkohet të merremi me ideologji të ndërlikuara apo politikë të madhe. Na kërkohen veprime konkrete, edhe të vogla, për të lehtësuar dhimbjen dhe vuajtjen njerëzore, si dhe përpjekje për të shmangur konfliktet dhe për t’i zgjidhur ato pa dhunë.
Prandaj sot e them me zë të lartë se e ndjej për detyrë dhe jam krenar të jem pacifist. Me këtë nuk nënkuptoj një iluzion naiv, sikur paqja arrihet lehtë. Përkundrazi, lufta për paqe është e vështirë dhe e gjatë, por jo pa shpresë. Shpresa janë këta të rinj që pamë në këtë tubim. Shpresë janë edhe njerëzit që kanë marrë përsipër të udhëheqin këtë mision në Gjirokastrën tonë të dashur, si Moza Lavdaniti dhe Agim Licaj, që përfaqësojnë vlerat më të larta morale e qytetare të këtij qyteti me tradita të lashta kulturore dhe humane.
Mars 2026
Ark. Agron Doraci


